Shqipëria renditet ndër vendet me ujin e pijshëm më pak të sigurt në Europë
Shqipëria renditet mes vendeve me performancën më të dobët në Europë për sigurinë e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, sipas të dhënave të Indeksit të Performancës Mjedisore.
Shqipëria pas Moldavisë dhe Gjeorgjisë
Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet me vetëm 54.1 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur ndër vendet me nivelin më të ulët të sigurisë së ujit në kontinent. Vetëm Moldavia me 50 pikë dhe Gjeorgjia me 51.7 pikë kanë rezultate më të dobëta.
Raporti thekson se ujërat nëntokësore mbeten një nga burimet më të rrezikuara në Europë. Mbi 20% e ujërave nëntokësore në Bashkimin Europian rezultojnë në gjendje të dobët kimike, për shkak të pranisë së substancave ndotëse mbi kufijtë e lejuar.
Një nga ndotësit kryesorë mbeten nitratet, të cilat sipas vlerësimeve i kushtojnë Bashkimit Europian deri në 320 miliardë euro në vit. Kufiri maksimal i lejuar për nitratet është 50 mg për litër ujë, ndërsa ky nivel është tejkaluar në 14% të pikave matëse të ujërave nëntokësore.
Europa investon miliarda për mbrojtjen e ujit
Raporti vëren se investimet e mëdha të vendeve europiane në sistemet e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave po japin rezultat pozitiv. Sipas Environmental Performance Index, 19 nga 20 vendet me performancën më të mirë në botë për ujin e pijshëm dhe kanalizimet janë europiane.
Finlanda, Islanda, Holanda, Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrë vlerësimin maksimal prej 100 pikësh për mbrojtjen e shëndetit të njeriut nga uji i pasigurt dhe mungesa e kanalizimeve cilësore.
Në listën e vendeve me rezultatet më të ulëta në Europë përfshihen edhe Letonia, Lituania dhe Rumania, të cilat megjithatë kanë performancë më të mirë se Shqipëria.